Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Serbi, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, nuk ka ndryshuar.
OVL UÇK, e ka cilësuar si anti-Kosovë, deklaratën e Zelenskyyt, dhe se, bota demokratike e udhëhequr nga SHBA’të, kanë ndërhyrë ushtarakisht në pranverën e vitit 1999 për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.
‘’Legjitimiteti i pavarësisë u konfirmua nga organet më të larta të drejtësisë globale. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese’’, thuhet mes tjerash nga OVL.
Postimi:
z. Zelenski, deklarata juaj anti-Kosovë në Beograd, shpërfaq profesionin tënd para se të bëheshe president!
Për informacionin tuaj, lexo në vijim ngjarjet që demantojnë deklaratën tuaj, e që janë mbështetur nga të gjitha shtetet që po mbështesin përpjekjet tuaja për t’i dhënë fund pushtimit rus:
1) Pas luftës së zhvilluar në vitet 1998–1999 dhe rezistencës së popullit të Kosovës, vendi u çlirua nga sundimi dhe regjimi opresiv i Serbisë.
2) Bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e NATO-s, ndërhyri ushtarakisht në pranverën e vitit 1999 për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin e ndërmarrë nga forcat serbe.
3) Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj. Deri më sot, pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga 121 shtete anëtare të OKB-së.
4) Legjitimiteti i pavarësisë u konfirmua nga organet më të larta të drejtësisë globale. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese.

