FC Drita ka pranuar një letër urimi të veçantë nga presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, pas shpalljes kampione e Kosovës për sezonin aktual.
Urimet nga kreu i klubit francez janë adresuar për presidentët Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku, si dhe për gjithë klubin gjilanas, duke vlerësuar suksesin e arritur në elitën e futbollit kosovar.
Edhe pse shumë presidentë klubesh dhe personalitete të futbollit kanë uruar Dritën për triumfin në Superligën e Kosovës, letra e ardhur nga një klub evropian me emër si Paris Saint-Germain konsiderohet një moment i veçantë për kampionët e Kosovës.
Në letrën e tij, Nasser Al-Khelaifi përgëzon FC Dritën për fitimin e titullit kampion, duke theksuar se triumfi i pestë në histori dhe i dyti radhazi është rezultat i punës së madhe, profesionalizmit dhe përkushtimit të të gjithëve në klub.
“Fitimi i titullit për herën e pestë dhe sezonin e dytë radhazi është një arritje e madhe dhe pasqyron punën e palodhshme dhe përkushtimin e të gjithëve në klub”, thuhet në letrën e presidentit të PSG-së.
Në fund të mesazhit, Al-Khelaifi i ka uruar FC Dritës shumë suksese edhe në sezonin e ardhshëm./Radio Star/


